ARITMITË – ÇRREGULLIMET E RITMIT TË ZEMRËS
2020-09-20 06:08:34
Aritmitë apo çrregullimet e ritmit të zemrës vlerësohen si një ndër sëmundjet e zemrës më të vështira për t’u diagnostikuar dhe trajtur. Ato karakterizohen me çrregullim të ritmit i cili mund të jetë shumë i ngadalshëm (100 rrahje/min), ose ritëm i çrregullt dhe mund të ndodhin në te gjitha moshat.
Nga vet emri i tyre, aritmitë janë të rrahura jo ritmike, disritmike apo të çrregullta të zemrës.
Pse ndodhin aritmite?
Zemra, përveç muskulit të zemrës, përbëhet nga disa fije shumë të specializuara të cilat prodhojnë impulsin elektrik dhe përçojnë atë impuls në tërë zemrën. Disritmitë kryesisht ndodhin si rezultat i çrregullimit të prodhimit dhe përçimit normal të impulseve, me një fjalë, aritmia është çrregullim i aktivitetit elektrik të zemrës.
Cilët janë shkaktarët?
Ndër shkaktarët më të shpeshtë mund të përmendim sëmundjet e ndryshme të zemrës si:
Infarkti i miokardit
Sëmundjet iskemike të zemrës (sëmundjet e arterieve koronare)
Hipertensioni arterial sistemik
Sëmundjet kongjenitale të zemrës
Sëmundjet strukturale të zemrës (kardiomiopatitë)
Sëmundjet valvulare
Disbalancimi i elektroliteve
Ndërsa shkaktarët ekstra kardiak më të shpeshtë janë:
Hipotiroidizmi
Hipertiroidizmi
Diabeti
Anemia
Anksioziteti
Sleep apnea (apnea e gjumit, “ndërprerja e frymëmarrjes)
Sëmundjet gjenetike
Shkaktarë të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të ritmit të zemrës mund të jenë:
Duhanpirja
Konsumimi i tepërt i alkoolit
Konsumimi i tepërt i kofeinës dhe pijeve energjike
Abuzimi me droga, etj.
Aritmitë fillimisht ndahen në dy grupe:
Takikardi (e cila i referohet të rrahurave të shpejta të zemrës të cilat janë më shumë se 100 rrahje për minutë).
Bradikardi (e cila i referohet të rrahurave të ngadalsuara të zemrës të cilat janë më pak se 60 rrahje për minutë).
TAKIKARDITË
Varësisht prej vendit ku ndodhin, Takikardite ndahen në atriale apo supraventrikulare (të cilat ndodhin në dhomat e sipërme të zemrës apo parabarkushe) dhe ventrikulare (të cilat ndodhin në dhomat e poshtme të zemrës apo barkushe).
Ndër takikarditë atriale (supraventrikulare) janë:
Sinus takikardia
Ekstrasistolat atriale
Fibrilacioni atrial
Flateri atrial
Takikarditë paroksizmale supravetrikulare
Wolff-Parkinson-White syndrome (WPW)
Lown–Ganong–Levine syndrome (LGL)
Ndërsa ato ventrikulare janë:
Ekstrasistolat ventrikulare
Takikardia ventrikulare
Fibrilacioni ventricular
Long QT syndrome (Sindroma e QT-së së zgjatur), (ku duhet theksuar se Takikardia dhe Fibrilacioni Ventrikular janë gjendje emergjente, mund të jenë fatale dhe kërkojnë trajtim të mënjehershëm).
BRADIKARTDITË
Varësisht natyrës, bradikarditë mund të jenë si rezultat i problemeve në prodhimin e impulseve si dhe si rezultat i problemeve në perçimin e tyre.
Ndër bradikarditë më të shpeshta janë:
Bradikardia sinusale
Sinus sick syndrome (sindroma e sëmundjes së nyjes sinoatriale, nyja në të cilën prodhohen impulse)
Blloqet atrioventrikulare – AV Block (të cilat varësisht nga shkalla e tyre kërkojnë edhe trajtimin) dhe ndahen në tri shkallë:
AV block gr.I
AV block gr.II
AV block total apo gr.III (ku është i nevojshëm trajtimi me paisje elektrostimuluese siç janë: Pacemaker, ICD, CRT, etj.)
Cilat janë shenjat e paraqitjes së aritmive?
Ndër simptomat kryesore të çrregullimeve të ritmit janë:
Palpitacione (ndjenja e të rrahurave të shpejtuara të zemrës)
Dhimbje gjoksi
Vështirësi në frymëmarrje
Frikë, anksiozitet
Lodhje
Djersitje
Kokëdhimbje
Marramendje e në rastet më të rënda edhe Sinkope (humbje të përkohshme të vetëdijes).
TRAJTIMI
Duke u bazuar në llojin e çrregullimeve të ritmit të zemrës, trajtimi kryesisht përfshinë:
Trajtimin medikamentoz – ku me anë te ilaçeve mbahen në nivele të lejuara të rrahurat e zemrës.
Kardioverzion – konvertimi i ritmit duke përdorur energjinë elektrike, me anë të defibrilatorit.
Ablacion – një intervenim invaziv, përmes të cilit “digjen” vatrat e të cilat prodhojnë impulse të parregullta në zemër.
Vendosja e Pacemaker-it – paisje elektrostimuluese, të cilat imitojnë impulset e rregullta të zemrës, si dhe në paisje tjera që përpos punës si Pacemaker kanë edhe funksione tjera eventuale siç janë: ICD dhe CRT.
Kur duhet vizituar mjekun?
Nëse simptomat tuaja vazhdojnë ose përsëriten shpesh, e sidomos në rastet kur keni diabet, tension të lartë, sëmundje të arterieve koronare, pamjaftueshmëri të zemrës (insuficience kardiake) ose histori familjare të sëmundjes së zemrës.
Nëse keni marramendje, keni dhimbje në gjoks dhe/ose keni vështirësi në frymëmarrje me një ritëm të çrregullt të zemrës, atëherë kërkoni ndihmë menjëherë, pasi qe duhet parë rrezikshmerinë e mundshme të aritmisë.
Duke u bazuar në udhërrëfyesit e Shoqatës Botërore të Shëndetësisë për vizitat periodike shëndëtesore, pacientët që nuk kanë fare simptoma, duhet që së paku një herë në vit (e ne rastet kur kemi sëmundje të zemrës, vende të punës me rrezikshmëri apo me stres, çdo 6 muaj), të bëjnë një vizitë të përgjithshme mjekësore, duke përfshirë edhe vizitë kardiologjike dhe analiza laboratorike rutinore, gjithmonë në mënyrë që sa më herët të zbulohen sëmundjet e në këtë mënyrë, të bëhet më i lehtë edhe trajtimi i tyre.
Autor: Dr. Gojart Xh. Pllana – Kardiolog