Verërat janë bërë më të nxehta, ajri më i rëndë dhe frymëmarrja shpesh vështirësohet, sidomos për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Por si gjithmonë, edhe për këtë ka mënyra për t’u ruajtur, mjafton pak vëmendje e pak kujdes.
Disa mësime për ta evituar përkeqësimin e gjendjes tuaj:
Shmangni nxehtësinë – Mos dilni jashtë nga ora 11:00 deri në 15:00. Planifikoni daljet në mëngjes herët ose kur perëndon dielli.
Kur jeni jashtë, ecni në hije dhe shmangni rrugët me shumë beton e asfalt, që lëshojnë avull edhe pas perëndimit të diellit.
Vishuni hollë dhe me ngjyra të çelëta – Ashtu siç bënin të parët tanë, që vishnin rroba prej liri e pambuku, të ajrueshme dhe me mëngë të gjata për t’u mbrojtur nga dielli.
A e dini si ruheshin të parët tanë nga dielli?
- Gratë përdornin shamia të bardha të lagura për ta freskuar kokën.
- Meshkujt shpesh bartnin një lloj "shalle" në qafë për të lagur dhe për të ruajtur freskinë.
- Shtëpitë ndërtoheshin me mure të trasha balte ose guri dhe me dritare të vogla, që të mbante freskët brenda.
- Në oborr, nuk mungonte kurrë hardhia ose mani që bënte hije natyrale gjithë ditën.
"Diellit nuk i del me inati, por me mençuri boco” – thoshin të moçmit.
Rekomandime të tjera praktike:
- Vër kapelë dhe syze dielli. Nëse merr ilaçe si "doxycycline" apo "pirfenidone", kujdes – trupi e ndjen diellin më shpejt. Mbrohuni me krem dielli dhe rroba që mbulojnë lëkurën.
- Merrni gjithmonë me vete një shishe ujë, një ventilator të vogël dore dhe ilaçet që mund t’ju duhen.
- Pini ujë dhe lëngje edhe kur nuk ndiheni të etur – dehidratimi vjen tinëz.
- Brenda shtëpisë, mbani roletat e mbyllura kur bie dielli direkt në dritare.
- Nëse keni kondicioner, mos e shkyç e ndiz pa rend – mbajeni në temperaturë konstante dhe me dyert të mbyllura që të mos harxhojë shumë dhe të jetë efektiv.
- Mos ngurroni të konsultoheni me mjekun nëse ndjeni ndonjë ndërlikim të pazakontë.