blog-image

Transplantimi i veshkës, ëndrra që nuk e pamë!

2022-04-29 14:37:00
@Nefrologët e Kosovës

Skenderi, 42 vjeçar kishte një sëmundje të panjohur për të më parë, ishte i lodhur dhe shumë i plogësht. Që në analizat e para u diagnostikua për dështim të veshkëve dhe u shtrua në spital, mjekët e dinin përfundimin por jo edhe arsyen e saktë që ia kishte dëmtuar veshkët. E udhëzuan jashtë vendit për të bërë një analizë, "biopsi të veshkës" e quanin. Ishte biopsi por nuk bëhej fjalë për kancer! E udhëzuan jashtë vendit sepse në Kosovë nuk bëhej. Skenderi, e bëri biopsinë por nuk u nxor rezultat përfundimtar, sepse veshkët i kishte shumë të dëmtuara. E mori edhe mendimin e mjekut jashtë vendit dhe u kthye. Vazhdoj të trajtohet për sëmundje kronike të veshkëve. Mjeku, i spjegoi mundësitë dhe i tha se mënyra më e mirë për t’u zëvendësuar veshka dhe funksionet e saj është transplantimi, në radhë të dytë vinte dializa me dy forma të saj! Mjeku, i tregoi rrugën që duhej ndjekur dhe i tha që duhej të diskutonte në familje për të siguruar dhurues vullnetar të një veshke për të. Skenderi ishte me fat, kishte motra e vëllezër, që të gjithë u lajmëruan vullnetar për të dhuruar veshkën. Qendra e transplantit u habit nga numri i madh i dhurueseve vullnetar. Diku ne Amerikë edhe dy veshkë transplantohen, por më shumë jo, madje as në Japoni! Skenderit i nevoitej një veshkë, ai kishte 7 në dispozicion! Ai dhe i vëllai që kishte më shumë ngjashmëri me grup gjaku e tip indi u futën në operacion, vëllaut jo hoq veshka e ju vendos Skenderit! Doli nga spitali në gjendje shëndetësore të mire, me shumë barëra e rekomandime. Me veshkë funksionale dhe me analiza të përmirësuara përfshirë edhe pagjaksinë e shumë çrregullime tjera që i ishin shfaqur për shkak të mosfunksionimit të veshkëve. Kur u kthye në Kosovë mjeku i tha që është mrekulli sepse e ka bërë transplantimin pa filluar fare dializën! Transplantim preemptiv quhej! Edhe Llukmani 31 vjeçar njejtë, ishte sëmurë tepër shpejt, mjekët bënë rekomandim për të filluar dializën por ai e mori dritën për transplantim dhe shkoj jashtë vendit, kishte të atin dhe dy dhurues të tjerë nga familja por nuk ju përshtatën veshkët, I ati i kishte bërë analizat por doli me probleme shëndetesore, u refuzua. E thirri gruan, e dinte se jep çdo gjë për të, sikur gjithçka në jetë që i qe përshtatur, ju përshtat edhe veshka! E mori veshkën dhe mrekullisht çdo analizë u përmiresua! Për mjekun ne Kosovë mrekullia vet, e lexuar në libra dhe e pa provuar në praktikë, përveç një here. Një herë në Kosovë, në një vit tashmë jo të afërt u bë një transplantim i veshkës, vetëm një, i rregullt dhe i suksesshëm. Një nënë kosovare dhuroi veshkën për të bijën e cila vuante nga pamjaftueshmëria kronike e veshkës. Përgatitja dhe operacionet te dhuruesja dhe marrësja u bënë nga mjekët shqiptar e gjerman që kishin ardhur nga Gjermania, këtë ekipë me këtë mision fisnik e udhëhiqte shefi i klinikës së nefrologjisë në Universitetin e Heidelbergut profesori gjerman Prof. Dr. Martin Zeier dhe e ndërmejtësonte me dashuri e profesionalizëm Dr. med. Nexhat Miftari nefrolog në Heidelberg - Gjermani. (Beqiraj, 25.05.2007) Hasimja 49 vjeçare e mori veshkën nga i vëllai, 2 muaj pasi që u diagnostikua me dështim të veshkëve. Ajo, që nga dita e diagnozës u trajtua me hemodializë. As ajo as familja nuk e kuptuan si i humbën veshkët aq papritur, si bënte dializë një femër e re, pa asnjë sëmundje paraprake, si pas transplantimit analizat u normalizuan brenda disa orësh dhe më për dialize nuk kishte nevojë!? Motrat e Hasimesë kishin shumë pyetje për mjekun, pyetje që nga habia nuk i bënë në qendrën e transplantimit. Shahinderja nuk e pati fatin e njejtë me të lartpërmendurit, ajo nuk arriti ta bëj transplantimin. Të tjerë po presin dhe po shpresojnë për dhurues, për mundësi shëndetësore si dhe për radhë e për rimbursim! Operacioni i dhuruesit : 8:45 a.m.- 10:50 a.m. Pozicioni i pacientit - dekubit anësor (lateral) i majtë, sonda orogastrike e vendosur. Fusha operative përgatitet me solucione antiseptike. Me skalper numër 15 u bë një prerje përafërsisht 6 - 7 cm paralel me ligamentin e Poupart-it në kuadrantin e poshtëm të majtë të barkut, 2-3 cm medialisht nga spina iliaka anterior superior. Me kauter u zbërthyen fasciet Camper dhe Scarpa si dhe muskujt ekstern, intern, oblik dhe transversal për të arritur membranën peritonale. Me prerje të mprehtë u depertua ne bark. Portat video laparaskopike ishin të pozicionuara në bark. Nëpërmjet portit të dorës u krijua pneumoperitoneum. Më pas kamera kirurgjikale eksploruese nuk tregoi ndonjë patologji. Përmes portit poshtë procesit ksifoid së pari u hap fascia e Toldt, koloni i mjate u shty poshtë dhe u ekspozua fascia e Gerotas. Vena e majtë gonadale u identifikua dhe u disekua. Duke gjurmuar venën gonadale u arrit vena renale e majtë. Vena Gonadale u pre në përafërsisht 2 cm kaudalisht segmentit ku hapej ne venën renale. Më pas, kompleksi i venave uretero-gonadale i majtë u nda nga muskujt iliopsoas dhe u rrethua. Poli i poshtëm i veshkës u tërhoq dhe u ngrit, pas së cilës indet perihilare u imtësuan nga periferia deri në venën renale. Veshka, u nda nga muri lateral abdominal me prerje të mprehtë dhe të topitur. Për të zbërthyer pjesën e sipërme të veshkës, fasia e Gerotas u hap në aspektin kranial të venës renale, ku indi dhjamor perirenal u copëtua, kështu poli i sipërm i veshkes u nda nga gjëndra mbiveshkore e majtë dhe indi dhjamor perirenal. Pastaj vena adrenale e majtë u identifikua, u pre 1 cm distal nga pika e segmentit ku derdhej në venën renale. Arteria renale gjithashtu u identifikua dhe u këput. Vena dhe arteria u izoluan dhe u ndanë nga periferia duke përdorur prerësen me kënd të duhur. Fillimisht u pre dhe u mbyll arteria renale. Veshka u mor nga barku përmes portës së dorës. Vena Gonadale dhe ureteri u klemuan në segmentin më distal, u liguan me penj mëndafshi dhe u prenë. Veshka u vendos në një tretësirë fiziologjike të akullt dhe u ushqye me një solucion të ftohtë +4 gradë. Solucioni i pastër u pa duke dalë nga vena renale dhe perfuzioni u konsiderua i rregullt. Së pari u disekua (u nda) vena renale dhe degët që hapeshin në venën renale u lidhën me penje mëndafshi. Arteria renale u disekua më pas. Enët limfatike në hilusin renal dhe struktura të vogla vaskulare u lidhën gjithashtu me penj mëndafshi. Pas përfundimit të përgatitjeve, veshka (që këtu e tutje quhet graft) ishte paketuar në mënyrë sterile dhe u vendos në akull. Hemostaza u arrit. Peritoneumi u mbyll, aponeuroza e muskujve të jashtëm, shtresat nënlëkurore një-nga-një dhe lëkura, vrimat e porteve u mbyllën gjithashtu. Operacioni u konkludua të ishte pa komplikime. Pacienti u largua nga salla e operacionit i ekstubuar. Operacioni i marrësit: 9:50 a.m – 1:40 p.m II. Në kuadratin e djathtë te poshtëm abdominal me scalper bëhet incizioni i lëkurës në formë të “shkopit te Hokejit”, shtresa nënlëkurore, aponeuroza eksterne dhe ajo interne e muskullit oblik abdominal u prenë dhe kauterizuan për te ju qasur muskulit transvers abdominal. Fascia transverse pritet me gërshërë kirurgjike për të arritur zonën periperitoneale. Peritoneumi medilaizohet dhe arrihet qasja në fosen iliake. Enët epigastrike inferiore identifikohen, ligohen me penj mëndafshi. Pastaj identifikohet kordoni sperrnatik, izolohet dhe mënjanohet. Peritoneumi medializohet plotësisht duke krijuar hapësirë për veshkën, sipër muskulit iliopsoas. Identifikohen vena dhe arteria iliake e jashtme. Vendi i operacionit ekspozohet me ndihmën e tërheqësit automatik (ekarterit). Enët limfatike në arterien e jashtme iliake u liguan, vena iliake e jashtme u mobilizua dhe gjithashtu u mënjanua me një mënjanues të enëve të gjakut. Enët e gjakut kështu u përgatitën për anastomozë. Në këtë pikë, 10;15 a.m. veshka e dhuruesit u soll në tavolinën operative. Veshka u vendos në vendin e përgatitur (preparuar). Duke përdorur stilolaps steril u markuan pikat e anastomozës së arteries dhe venës renale në arterien dhe venën iliake përkatëse. Vena iliake e jashtme ishte klemuar së pari. Regjioni i anastomozës u pre për së gjati dhe u hap me një skalper 11. Vena u irrigua me solucion të heparinizuar. Vena renale dhe vena eksterne iliake e marrësit u anastomozuan në fund me anë me linjë kontinuele suturë. Më pas arteria iliake eksterne e marrësit u klemua. Anastomoza fund me anë midis arteries renale dhe arteries iliake të jashtme të marrësut u bë me suturë të vazhdueshme duke përdorur ”teknikën e parashutës”. Fillimisht u lirua klemi nga vena iliake e jashtme. Më pas u lirua klemi i arteries iliake eksterne dhe u sigurua perfuzioni. Furnizimi me gjak në veshkë dukej të ishte mjaft i mirë. Pulsacionet në arterien renale u vunë re. Vena renale relaksohej pa asnjë shenjë të distendimit. Veshka fillon të funksionoj menjëherë dhe inicimi i diurezës u vu re! U arrit hemostaza. Më pas kateteri uretral u klemua dhe fshikëza urinare u mbush me tretësirë sialine. Fshikëza urinare u deperitonalizua dhe u mobilizua. Incizioni 3-5 cm u bë në pjesën laterale anterosuperiore të fshikëzës për të çliruar muskulin detrusor duke fituar kështu edhe qasjen në mukozën e vezikës urinare. Gjatësia e ureterit rregullohet për të akomoduar anastomozën. Enët e gjakut periureterale u liguan me qepje mëndafshi 4/0 në aspektin më distal te mundshëm. Ureteri u pre në një gjatësi të përshtatshme dhe u "spatulua". Një stent “double J 4.8F” 16 cm më pas u vendos në ureter. Mukoza e fshikëzës u hap me një sklaper 11. Kjo u pasua me ureteroneocystostomi midis ureterit të graftit dhe fshikëzës urinare të marrësit duke përdorur sutura 6/0 PDS mbi stent dhe duke praktikuar metodën Lich-Gregoir. U kontrollua anastomoza dhe u konfirmua se nuk kishte rrjedhje. Suturat e mënjanuara u lidhën dhe u prenë. Muskuli detrusor u qep në ureter një nga një me suturë 3/0 Vicryl duke krijuar një tunel submukozal. Kontrollet përfundimtare treguan një veshkë me ngjyrë rozë me furnizim të mirë të gjakut. Pulsacionet jane vërejtur në arterien renale. Aponeuroza e muskujve të jashtëm ishte e mbyllur me suturë. Lëkura është mbyllur duke përdorur një stapler. Operacioni u përfundua, asnjë ndërlikim nuk ndodhi. Pacienti u largua nga salla e operacionit i ekstubuar. Dhe keshtu rilind një veshkë, e mban në jetë një organizëm, e kthen shpresën dhe e stimulon jetën me kualitet të mirë, e shpëton pacientin, familjen dhe shoqerinë! Pas transplantimit përcjellja e funskionit të graftit renal është e rreptë dhe mbahet me terapi imunosupresive të trefishtë për të siguruar që veshka nuk flaket! Kontrollet mjekësore 6 muajt e parë jane të shpeshta, çdo javë e pastaj çdo muaj, tutje përcillet në kontrolle të rregulta çdo 3-4 muaj, Kjo është forma më e mirë, më e lirë, më e suksesshme dhe më e plotë e zëvendësimit të funksionit të veshkëve! Sipas raportit vjetor për vitin 2019 të Asociacionit Europian për dializë dhe transplantim të veshkëve (ERA EDTA) i publikuar në shtator 2021 Kosova numëron 98 pacientë te transplantuar , me shkallë të tranplantimit 6 për 1 MLN banorë (Kramer & Chen, 2021) Vjollca Godanci - Kelmendi, MD Specialiste e Mjekësisë Interne - Nefrologe Kryetare e Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës KO 02587-01-04/05 QKUK Klinika e Nefrologjisë Tel. +381 38 5006003529 GSM: +383 44 168222 Karaketeret në tekst janë të imagjinuara, përshkrimi i punës operative është sintetizuar nga të dhënat nëpër fletëlëshime dhe nga përvojat observuese në transplantimin e veshkës.

Autor: Vjollca Godanci - Kelmendi, MD Specialiste e Mjekësisë Interne - Nefrologe



Radio