blog-image

KONGRESI VJETOR I NEFROLOGJISË

2023-11-15 00:57:04
@Nefrologët e Kosovës

KONGRESI VJETOR I NEFROLOGJISË 17 – 19 NËNTOR 2023 Të premtën, më datë 17 nëntor do të nisë punimet Kongresi Vjetor i Nefrologjisë në Prishtinë. Ky kongres organizohet nga Shoqata e Nefrologëve të Kosovës. Ideja e tij u jetësua pas përzgjedhjes për financim të projektit të shoqatës së nefrologëve nga Oda e Mjekëve të Kosovës në Prill të këtij viti. Të ngazëllyer nga kjo mbështetje nefrologët filluan punën për të organizuar një kongres ndërkombëtar për nefrologji në Kosovë. U përgatit një draft projekt dhe nisma filloi me ftesat e profesorëve eminent të nefrologjisë nëpër rajon e botë, për të ligjëruar nefrologjinë në vendin tonë. Pokështu u dërgua programi për përkrahje në shoqatën evropiane dhe atë ndërkombëtare të nefrologjisë, si dhe në shoqatën evropiane të transplantit. Nga 25 profesorë të ftuar 20 pranuan ftesën dhe me shumë dëshirë vendosën ta vizitojnë Kosovën. Shoqata evropiane për veshkë ERA, shoqata ndërkombëtare e nefrologjisë ISN dhe shoqata evropiane e transplantimit te organeve ESOT e përqafuan dhe e mbështetën kongresin, duke e vlerësuar lartë programin shkencor. Kongresi pret në hapje mjekët e Kosovës dhe rajonit si dhe studentët e infermierët e interesuar. Shoqata e infermierëve të Kosovës për Nefrologji Dializë dhe Transplant është bashkëngjitur edhe në këtë ngjarje dhe do të zhvilloj punimet (e pavarur) për infermierët e interesuar me program të akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës - OIK. Kongresi do të ketë të ngërthyer edhe dy punëtori: Hands – On për mjekësi urgjente RCP dhe qasje vaskulare, ngjarje këto që në regjistrimet online kanë arritur të tejkalojnë numrin e kandidatëve të paracaktuar brenda disa orëve! Kongresi zhvillon punimet në 6 sesione shkencore për nefrologji, njëri nga sesionet i dedikohet gjenetikës dhe sëmundjeve nefrologjike të fëmijëve. Natyrisht dhe si cdo herë, ekipi i nefrologëve nga Shqipëria, në formacion të plotë, me pesë ligjërues akademik vjen në Kosovë. Si gjithnjë, për të u bashkuar, e për të përkrahur këtë ngjarje nefrologjike. Një vend të vecantë, mjekët Kosovarë që jetojnë e punojnë në vendet evropiane, përherë të gatshëm për ndihmë e kontribut! Kongresi gjatë përgatitjeve ka marrë vëmendjen e shumë kompanive vendore e regjionale të industrisë farmaceutike, të cilat do të jenë të pranishme në panairin e produkteve biomjekësore të kongresit. Një ngjarje e tillë organizohet dhe zhvillohet me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe risive në fushën e nefrologjisë dhe sjell në programin e sajë një gamë të gjerë të diskutimeve e rezultateve hulumtuese e kërkimore. Natyrisht se një kongres i tillë është një dobi dhe një prurje e furishme e nefrologjisë evropiane e botërore në Kosovë dhe mbetet në energjinë e vullnetin vendor të implementohen e të jetësohen praktikat dhe përvojat e përfituara. Vjollca Godanci - Kelmendi, MD Specialiste e Mjekesise Interne - Nefrologe Kryetare e Shoqates se Nefrologeve te Kosoves KO 02587-01-04/05 QKUK Klinika e Nefrologjise Tel. +381 38 5006003529 GSM: +383 44 168222

Autor: Vjollca Godanci - Kelmendi, MD Specialiste e Mjekesise Interne



Radio