blog-image

COVID -19 DHE VESHKËT - III

2022-03-09 20:45:20
@Shoqata e Nefrologëve të Kosovës

Restrospektiva e sëmundjes kronike dhe akute të veshkës në QKUK gjatë pandemisë COVID19 Sëmundja COVID 19 e shkaktuar nga virusi korona është karakterizuar me një laramani të simptomatologjisë klinike e me ndryshueshmëri shumë të theksuar në dekursin, ecurinë dhe prognozën e sëmundjes. Gjithsesi rëndesa e sëmundshmërisë është e varur nga sëmundjet shoqeruese, mosha, gjinia, statusi i vaksinimit etj. Sëmundja kronike e veshkëve dhe komplikimet bashkëshoqeruese kanë qenë një brengë dhe një shqetësim i shprehur për ekspertët dhe personelin që kanë ndërtuar strategjitë për luftimin e CoronaVirusit. Mënyra se si COVID 19 do të afektonte të sëmurët me sëmundje kronike të veshkës në të gjitha stadet e sidomos ata në stadin e pestë të pamjaftueshmerisë renale kronike, që është stadi kur duhet të mendohet trajtimi me terapi renale zëvendësuese transplant ose dializë, si dhe për ata që janë në program të dializës kronike ose të transplantuar, ishte një makth për profesinistët nefrolog dhe për drejtuesit e politikave shëndetësore në orët e para të pandemisë COVID19. Kjo sepse komuniteti i të sëmurëve me sëmundje kronike të veshkëve i përllogaritur rreth 10 % e popullatës botërore, pacientët në dializë dhe ata të transplantar paraqisnin një pjesë të brishtë të popullatës kur dihej që sëmundshmëria nga viroza e identifikuar kishte dekurs më të rëndë në popullatën me sëmundje bashkëekzistuese. Të sëmurët me sëmundje kronike të veshkëve dhe ata me trasnplant e sidomos me dializë janë ata që frekuentojnë më shpesh spitalet dhe institucionet shëndetësore meqë shpesh sherbimet mjekësore që atyre ju nevoiten janë spitalore, një shmebull tipik është hemodializa 3 x në javë nga 4 orë, që bëhet në masë të gjerë në ambiente spitalore (mbi 99%) duke përjashtuar këtu pacientët që e bejnë dializën në shtëpi. Kjo ishte edhe arsyeja më e madhe e drojës dhe perspektives jo te mirë te ketyre pacientëve në pandemi, jeta në komunitet, udhëtimi, qëndriumi i gjatë në spitale e rriste rrezikun për infeksion. Sëmundshmëria me COVID19 në repartet e dializës në Kosovë ka kaluar shifrën 70 % kurse vdekshmëria 12 %, një perspektivë tjeter u prit në këtë rast dhe tjeter u shënua për pacientet e transplantuar të cilet për dallim nga ata me dializë përvec imunosupresionit që është terapi e perjetshme dhe pritjes së uljes së imunitetit aspektet tjera i kishin më të favorshme në COVID pandemi, në vendin tonë sipas regjistrit renal ERA EDTA të vitit 2019 në Kosovë numërohen 98 pacientë të transplantuar, sipas studimit të bërë në kuadër të Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës në pandeminë COVID 19 përqindja e infektimit të subjekteve të transplantuar ka qenë vetëm 12 % krahasuar me mbi 70 % në komunitetin e pacientveve ne dializë, 3 pacientë e kanë humbur veshkën e transplantuar. Një gjendje e veshkës dhe shëndetit të saj jashtëzakonisht e luhatëshme dhe e rëndë e shpesh jetëkercënuese është hasur në pacientët me sëmundje të rëndë COVID19, ata në repartet intenzive ku dëmtimi akut i veshkës shoqërohej me prognozë shumë të varfër e vdekshmëri te lartë që për dallim nga ajo në sëmundjen renale kronike me dializë që ishte 19%, ishte 59%. Korona Virusi dhe sëmundja që shkakton në mënyrë primare prek mushkëritë dhe sistemin respitrator ndërsa prek shpesh edhe veshkët duke shkaktuar pamjaftueshmëri akute të veshkëve kryesisht në rastet kritike e të hospitalizuar nëpër repartet e kujdesit intenziv si dhe përparim ose avansim të sëmundjes kronike të veshkëve te pacientët me sëmundje kronike të veshkëve në stade më të lehta, duke rritur kështu te te dyja grupet sëmundshmërinë, hospitalizimin, nevojën për forma të ndryshme te zëvendësimit të funskionit të veshkëve përfshirë dializën urgjente dhe vdekshmërinë. Koronavirusi si familje e virusëve me kurorë është përshkruar që në vitin 1968. Sipas mendimit të virologëve, këto viruse janë anëtarë të një grupi të panjohur më parë i cili sipas sygjerimeve të tyre u emëruan koronaviruse. Në vitin 1998 publikohet një punim në të cilin përshkruhet izolimi I koronavirusit në biopsinë e veshkëve të paceintëve me Nefropati Endemike Ballkanike e cila është një sëmundje e veshkëve me shkaktarë të panjohur që shfaqet në popullatat e regjioneve: Bullgari, Rumani, Kroaci, Serbi, Bosnjë e Kosovë. Ne Republikën e Kosovës është me e hasar në regjionin e Anamoravës - Viti (nuk ka studime të reja që përshkruajnë demografinë e saktë të përhapjes së kësaj sëmundjeje). Ky studim I realizuar në Mbretërinë e Bashkuar – Londër, postuloi se koronavirusi mund të jetë i përfshirë në etiologjinë e sëmundjes endemike Ballkanike dhe se njerëzit janë rezervuarë zoonoze. Koronaviruset te njerëzit janë kryesisht patogjenë të rrugëve të frymëmarrjes dhe vlerësohet se ato shkaktojnë deri në një të tretën e infeksioneve të traktit të sipërm respirator. Ato janë implikuar gjithashtu si shkaktarë të diarresë, kohët e fundit dy koronaviruse janë izoluar nga rastet e sklerozës multiple, por prania e tyre në indin renal është sugjestive për patogjenezë të nefropatisë endemike. (1986) Në literaturën e gjerë nefrologjike koronavirusi përmendet si shkaktarë I dëmtimit akut dhe kronik të funksionit të veshkëve. Citate: - Infeksionet virale mund të shkaktojnë glomerulonefrite akute (virusi I hepatit A, parvovirus, B19, fruthi, virusi Epstein-Barr). - Glomerulonefrite kronike (hepatiti B virusi [HBV], virusi i hepatitit C [HCV], HIV, parvovirus B19), dhe - Nefrit intersticial (Hantavirus, virusi i gripit, Denge virusi, virusi BK, koronavirusi, citomegalovirusi, virusi i hepatitit A). Sindromi i rëndë i akut respiratorë I shkaktuar nga koronavirusi mund të shkaktojë nefrit tubulointersticial. Insuficienca renale akute, kur është e pranishme, ka të ngjarë të shoqërohet me dështim të shumë organeve. Te pacientët me veshkë të transplantuar në raste të rralla është raportuar koronavirusi si shkaktarë I sindromës së distresit respirator SARS dhe llogaritet si shkaktarë I ri I njohur I infeksioneve te pacientët pas transplantimit të veshkës. COVID-19, një sëmundje e shkaktuar nga një koronavirus i ri, kërcënoj njerëzimin, në përmasa globale. Përfshirja e veshkëve është e shpeshtë në këtë infeksion dhe sëmundja akute e veshkëve IRA është një parashikues i pavarur i prognozëes shumë të varfër të sëmnundjes dhe vdekshmërisë. Ndikimi i këtij infeksioni tek pacientët me sëmundje kronike të veshkëve (IRK) dhe menaxhimi i pacientëve në dializë të cilët infektohen me korona virus kryhet sipas protokoleve strikte për të minimizuar rrezikun për pacientët e tjerë dhe kujdesin shëndetësor për personelin që kujdeset për këta pacientë. Vaksinimi dhe doza përforcuese në fillim si dritë në fund të tunelit e më pas si shpëtimtar u përcjell me ulje të sëmundshmërisë e vdekshmërisë edhe te ky komunitet sikundër në popullatën e përgjjithshme, popullata me CKD 5, dializë dhe transplantim u vaksinua me prioritet. Vjollca Godanci - Kelmendi, MD Specialiste e Mjekësisë Interne - Nefrologe Kryetare e Shoqates se Nefrologeve te Kosoves KO 02587-01-04/05 QKUK Klinika e Nefrologjisë Tel. +381385006003529 GSM: +383 44 168222 Prishtinë, 10/Mars/2022

Autor: Vjollca Godanci - Kelmendi, MD



Radio